
LINDA AGOLLI
MENDIMI LETRAR
Intervistë
Prej disa muajsh poetja Linda Agolli ka botuar përmbledhjen e saj me poezi
“Troje”. Libri përmban krijimet më të mira të autores në vite, si dhe disa
krijime të reja që publikohen për herë të parë. Në një intervistë për “Koha
Jonë”, autorja që mund të thuhet se poezinë e ka në gen flet për përmbajtjen e
këtij botimi, por edhe për projektet e saj në të ardhmen.
Mjafton një shikim i shpejtë për të kuptuar se ky libër është një antologji
poetike, një përmbledhje e krijimtarisë tuaj poetike. Zakonisht, një autor del
me një përmbledhje të tillë atëherë kur cikli i krijimit poetik është në
mbyllje. Ju, do të vazhdoni të shkruani poezi? Cila do të jetë marrëdhënia juaj
me poezinë?
Po. Është një përmbledhje poetike nga krijimtaria e mëparshme, plus një
kapitull me poezi të reja të pabotuara, të cilin në antologji e kam renditur të
parin. Një përmbledhje të tillë, nuk e kam menduar ndonjëherë si mbyllje të
krijimit poetik. Si “hyrja” ashtu edhe “dalja” nga poezia, as mund të
komandohen dhe as janë të parashikueshme. Njeriu është veçse mjeti i realizimit
të saj. Në këtë kuptim, realizimi i antologjisë, i shkon në linjë vetëdijes për
sa ke arritur deri në të tanishmen. Në imazhin tim, antologjia përshfaqet si
ato baulet e gjysheve tona ku vendoseshin palë-palë dhe ruheshin me kujdes
veshjet më të cilësishme e më të bukura për t’i marrë me vete në pajë. Me një
fjalë, kjo përmbledhje e poezive në këtë libër, është baulja që unë do ta marr
me vete në udhët përtej të cilave më presin poezi të tjera të reja. Por,
asnjëherë nuk mund të di sa të gjata janë udhët që më presin, sa të vështira,
apo sa të dendura e të bleruara me pemë poezie.
Me sa vëmë re, ka një rënie të interesit ndaj letërsisë në përgjithësi,
veçanërisht ndaj poezisë. Realiteti ynë shoqëror është më pak poetik se kurrë.
A mund të na thoni se ku e merrni fuqinë dhe entuziazmin për të shkruar poezi?
Fuqia dhe entusiazmi përkatësisht çështjes në fjalë, janë dy elementë
emocionalë që gjenden brenda dhe jashtë qënies. Sidomos, burim parësor është ai
i brendshmi. Dhe jo vetëm parësor, por edhe emocionues. Siç e shprehët edhe ju,
realiteti ynë shoqëror është më pak poetik se kurrë. Një realitet i tillë,
doemos që në të shumtën e rasteve jo që nuk frymëzon, por përkundrazi dekurajon
dhe thyen dëshirën për ta shfaqur poezinë. Imagjinoni për momentin një realitet që shfaqet në një marrëdhënie
nënë-fëmijë, ku përkushtimi për edukim zë vend të parë. Ose për shembull, një
realitet që shfaqet në komunikimin e sinqertë dhe të pakushtëzuar të dy të
dashuruarve, ose një realitet shfaqur në suksesin e merituar të dikujt në
çfarëdo fushe të jetës qoftë, ose ose, që shfaqet në qëndrimet qytetare të
brezave ndaj brezave, në akte fisnikërie të ndihmesës dhe korrektesës së
pakushtëzuar, në komunikimin dhe marrëdhëniet e shtresave të shoqërisë, etj.
etj. Them “imagjinoni” sepse sa thashë nuk janë realiteti ynë dominues. Por,
nëse do të ishte, fuqia e brendshme krijuese do të gjente një mbështetje të
madhe dhe do të shumëfishohej duke ngarë drejt veprave dinjitoze artistike në
përgjithësi dhe brenda tyre edhe ato letrare. Realiteti i sotëm nuk ndihmon
qoftë edhe me interesin ndaj të lexuarit, e kjo është një sfidë që i bëhet
fuqisë së brendshme. Por gjithnjë, ose që të mos e ekzagjeroj, kryesisht fiton
fuqia e brendshme. Është fuqi që ta jep bindja dhe vetëdija mbi misionin. E,
nëse je i vetëdijshëm për misionin, me apo pa atë interesin e lartë të të
tjerëve ndaj letërsisë, do ta bësh atë! Dhe do ta bësh me të gjithë fuqinë që
të është dhënë. Entuziazmi i bashkëngjitet krejt natyrshëm fuqisë dhe në një
rast të tillë nuk mund të trajtohet më vete. Fuqia e ka komponent shoqërues e
të pandashëm entuziazmin, mendoj. Një arsye tjetër është se, të mendosh të bësh diçka vetëm pse thjesht
shoqëria shfaq interes, vihesh pa kushte në pozitën e një tregtari që prodhon
mall sipas kërkesave të tregut, gjë që një krijues nuk e justifikon dot me
asnjë argument. E, në qoftë ai argument “shërbimi ndaj masës së lexuesve” aq më
keq denigron vërtetësinë e të bërit letërsi. Çfarë i përgjigjet interesit të
publikut në letërsi, publiku le ta gjejë atje ku ai interes shfaqet, në morinë
e zhanreve letrare dhe autorëve të ofruar me veprat e tyre.
Hartimi i një përmbledhjeje poetike si kjo juaja, ku mendohet të jenë
përfshirë poezitë më të mira të disa librave, është një proces i vështirë dhe i
ndërlikuar. A mendoni se keni bërë përmbledhjen më të mirë të mundshme?
Po. Mendoj se po. Por duhet theksuar se vërtet është një proces shumë i
vështirë. I vështirë për nga forma dhe përmbajtja, pasi edhe përzgjedhja si
veprim më vete qëndron mbi kolonat e perceptimit dhe konceptit për shfaqjen e
veprës në një nivel relativisht të lartë dhe po aq në unison të plotë. Të
përzgjedhësh cila poezi është më e mirë dhe cila më pak e mirë, të përcaktosh
se kjo poezi e meriton një vend në përmbledhje dhe tjetra jo, është e dhimbshme
por jo e pamundur. Nevoja për të pasur në një përmbledhje të gjitha poezitë
erdhi pa kuptuar dhe shumë e thjeshtë në fillim: nevojë për t’i pasur të gjitha
në të njëjtin libër. Por sa më shumë e më shpesh të lexosh për të përzgjedhur,
aq më shumë rritet kërkesa për cilësi. Vëllim pas vëllimi qartësohet gjithnjë e
më shumë një e vërtetë: një vëllim i dytë shfaq tipare të reja edhe më cilësore
në krahasim me të parin; një vëllim i tretë po ashtu në krahasim me të dytin,
një i katërt me të tretin, e kështu me radhë, deri sa vjen vëllimi me poezitë e
reja të pabotuara ndonjëherë. Ja, kështu si proçes, që nxiti dhe bëri të
domosdoshëm seleksionimin e poezive më të arrira.
Në këtë libër keni përfshirë edhe poezi të reja shkruar së fundmi. Duke
patur parasysh faktin se proçesi i krijimit të poezisë shtrihet në një periudhë
të konsiderueshme, si cilësia estetike edhe ajo teknike, pësojnë ndryshime.
Mendoni se ekzistojnë hendeqe cilësore midis periudhave të ndryshme të
krijimtarisë poetike?
Siç e thashë edhe më lart në përshkrimin që i bëra proçesit të përzgjedhjes
së poezive, doemos që ka ndryshime cilësore. Së pari duhet nënvizuar se
ndryshim cilësor do të thotë ndryshim në rritje i elementëve që e përcjellin
poezinë si qënie të gjallë me frymëmarrje. E rëndësishme është që këto
ndryshime të mos jenë aq të thella sa që të krijojnë hendeqe. Në këtë kuptim,
për shembull për nga fryma, ideja, tema, boshti filozofik, imazhi, kadenca, aty
këtu edhe couplet’i vargjeve, mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar të
poezive të hershme nga ato të mëvonshmet. Madje do të thosha se ka nga ato të
hershmet që ecin paralel me të rejat. Në rilexime i gjej tepër rezistente ndaj
kohës dhe fenomeneve jetësore. Ndërsa, për nga forma, vargu i lirë, përzgjedhja e fjalëve specifike,
larmia e tyre, provokimi i mendimit, e ndonjë tjetër gjë që tani nuk më kujtohet,
poezia e re ndryshon nga ajo e fillimeve letrare. Është si të thuash, kati i
epërm i një ndërtese ku mund të ngjitesh vetëm nëpërmjet shkallëve, dhe ku çdo
periudhë krijimtarie është një shkallë që e ngjit poezinë deri në atë kat.
A mendoni se poezia ka një rol të rëndësishëm në jetën e individit? Cili
është ky rol dhe sa ndikon ai në cilësinë e jetës së brendshme të atij që e
shkruan dhe atij që e lexon?
Mendoj, dhe jo vetëm mendoj, se poezia ka një rol të rëndësishëm në jetën e
individit. Ka përvoja të shumta që shpalosin ndikimin e poezisë në jetën e
individit. Por, për të mos sjellë këtu rastin e vogël dhe të veçuar të një
individi, le të cilësojmë rolin që luan në përgjithësi poezia: Poezia e
mbështet njeriun. Ajo qan bashkë me të për humbjen e njeriut të dashur; qesh me
të në gëzimet e tij; i jep kurajë në raste vështirësish; e mbështet në
iniciativat që ndërmerr; i rrëfen një rrugëdalje; i zgjon ide të pamenduara më
parë; i kujton momente të spikatura nga jeta e vet; e përqafon kur nuk ka kush
ta përqafojë dhe ia lehtëson dhimbjen kur as ilaçet nuk bëjnë efekt. Ka shumë
të thuhen për këtë. Ndërsa, sa i takon atij që e shkruan poezinë, të gjithave sa u thanë më
lart për lexuesin, u shtohet një krye-element: të qënit burim i gjithë këtyre
vlerave që lexuesi merr nëpërmjet poezisë së dhuruar.
Ju keni përfshirë në këtë antologji poezitë më përfaqësuese të pesë librave
të mëparshëm, duke i ndarë në pesë kapituj. Vërej se titujt e atyre librave nuk
janë të plotë. Pse?
Kur fillon të mendosh për një titull libri, i referohesh pak a shumë dhe
zakonisht përmbajtjes në përgjithësi ose titullit të poezisë më pikante. Në
pesë librat e parë, për të vendosur titujt, i jam referuar herë kësaj e herë
asaj si më lart thashë. Përjashtim bën vëllimi i parë “Trokas në derë hedh
hapin hyj” të cilin e kam titulluar pikërisht kështu për të paraqitur hapin tim
të parë drejt botimit të poezive në një vëllim. Mirëpo, përmbledhur në një
libër të vetëm, vëllime të veçanta do të “qëndronin” larg njëri tjetrit nëse
nuk do të vendoseshin ura lidhëse midis. Në imazhin tim, këto ura që do të
lidhnin brigjet e vëllimeve me njëri tjetrin ishin pikërisht titujt. Më duhej
të bëja një kompromis ndërmjet: të ruaja thelbin e titujve origjinalë duke i
përfaqësuar me një fjalë të vetme, dhe asaj që kjo fjalë e vetme të bëhej
njëkohësisht edhe ura për t’u hedhur në bregun tjetër. Kështu, zgjodha një
fjalë të vetme për çdo titull dhe pikërisht atë që, nga njëra anë i qëndronte
librit përkatës më vete, dhe nga ana tjetër, njëkohësisht renditej natyrshëm në
gjerdanin e kapitujve. Pa harruar asnjëherë se për nga forma titujt shkonin në
unison me titullin përfaqësues të antologjisë që njëkohësisht është edhe
titulli i vëllimit të ri të pabotuar më parë dhe që përfshihet në këtë
antologji.
Kemi dëgjuar të thuhet se poezia është një ndër zhanret letrare më të
abuzuara dhe se imitimi e plagjiatura po lulëzojnë. A jeni dakord me këtë
konstatim?
Në konceptin tim, Poezia nuk është art demokratik. Është art aristokratik.
Pastaj, se çfarë kuptoj me këtë, më duhet të sqaroj se nëse pasuria materiale
të bën borgjez, ajo pasuri që të bën aristokrat është pikërisht të bërit artin
e poezisë, gjë me të cilën nënkuptoj delikatesën dhe lartësinë shpirtërore,
aftësinë ndjesore, emocionale, frymësore, si dhe finalizimin nëpërmjet dhuntisë
për t’i shprehur këto me Fjalën! Shoh, lexoj, përpunoj me mendje, argumentoj sipas rastit, gjithçka që
vëmendja ime prek si poezi të publikuar, sidomos në rrjetet sociale, pasi kjo
ka më shumë mundësi të përhapet me shpejtësi dhe t’i ofrohet më lehtë lexuesit.
Poezia është e abuzuar: e abuzuar nga turmat letrare, nga pseudo shkruesit, nga
ata që e lexojnë, nga pseudo kritikët, nga vlerësuesit hierarkikë. Është e
abuzuar edhe nga heshtja, e sidomos nga kjo e fundit. Në këtë lukuni të
patalentuarish dhe plagjiatorësh, zëri i të talentuarit mbytet si bleta në ujë.
Pa harruar mundësitë financiare. Ndër këta që përmenda, pseudoshkruesit janë më
të parët abuzues, sepse nuk dinë ta bëjnë poezinë. Ata e keqshkruajnë atë dhe
po ashtu rrezikojnë të hyjnë edhe në qorrsokakun e plagjiaturës. Sa për
plagjiatorët, dëmi i tyre në botën e artit shkon përtej personales,
specifikisht në fushën e poezisë. Sepse janë edhe pseudo edhe vjedhës, edhe
hileqarë edhe mashtruese. Këta janë edhe abuzuesit më të mëdhenj e më të
vështirë në lëmin e poezisë. Imituesi dhe imitimi si fenomen në letërsi, në konceptin tim, kanë tjetër
interpretim nga ai që mund të duket në pamje të parë. Për shembull, imitohet
një mënyrë të shkruari, një autor. Mendoj se është e pranueshme dhe shfaqet në
rastin kur imitohet teknika, tematika, stili, dhe kjo ndodh përgjithësisht kur
individi është në fillimet e veta letrare. Justifikohet deri në një moment kur
pak a shumë arrin të kuptosh dhe të jesh i vetëdijshëm se cila është rruga
jote, si do të ecësh në atë rrugë dhe deri ku të arrin shikimi në lidhje me
perspektivën, deri në ç ‘pikë të horizontit mund të kapë syri yt. Vjen një moment dhe nga imitimi mund të dalësh, e më pas të jesh vetvetja.
Ndërsa nga plagjiatura nuk besoj se mund të dilet; më aq sa mund të dalësh nga
një ves i neveritshëm. Ajo, pra plagjiatura, është vetja jote, përfaqësimi yt,
dhe është e pamundur që një plagjiator të jetë krijues, aq më pak të bëhet i
tillë në një rrugë të tillë. Një krijues e ka të përjashtuar kategorikisht
plagjiaturën. E, nëse dikush thotë se është poet dhe nga ana tjetër bën
plagjiaturë, kjo as më shumë e as më pak është mungesë respekti për veten. Pra,
vij krejt dakord me konstatimin tuaj.
Do të doja mendimin tuaj në lidhje me zhvillimet e poezisë së sotme shqipe.A mendoni se poezia shqipe ecën përbri poezisë bashkëkohore?
Si ashtu, si kështu, në përgjigje të pyetjeve tuaja të mësipërme, gjendet
edhe përgjigja ndaj pyetjes se si po ecën poezia shqipe. Fakti që këtu u fol
për shumë çështje mbi poezinë, tregon se problemi zien. Por problemi zien atje
ku elementët e të vërtetës përplasen. E vërteta e pozitives që i kundërvihet
negatives bën që të dalin në pah disa vlera në dukje të mohuara në ditët e
sotme. Pozitivja këmbëngul, bërtet fuqishëm. Mendoj se poezia e mirë, ajo e të
Bukurës dhe e të Vlefshmes, është! Por, nëse ka diçka që “po ia ha shpirtin”
poezisë shqipe dhe nga e cila ajo po vuan, është kriteri i bashkëkohësisë.
Poezia shqipe është shkruar bukur, madje shumë bukur, por gjithnjë me vonesë në
raport me prurjet bashkëkohore të letërsisë botërore. Kriteri i bashkëkohësisë
është kriteri i munguar. Arsyet?! Dihen dhe ende vazhdojnë të qëndrojnë me
kokëfortësi. Por ky është një tjetër kapitull mbi letërsinë dhe problemeve të
saj dhe i takon një tjetër paneli.
A keni tentuar të lëvroni ndonjë zhanër tjetër letrar?
Domosdo që po. Kam shkruar tregime të cilat janë botuar në revista e
gazeta, një pjesë edhe në ato elektronike. Hëpërhë jam duke punuar me tregimet
dhe përmbledhjen e tyre në një libër. Planet nuk mungojnë asnjëherë, por më
mirë të flitet pasi të jenë realizuar.
Gazeta “Koha jonë”/ 11 Dhjetor 2019