🟣Poezi nga LINDA AGOLLI

 
LINDA AGOLLI
SONETI  
Im ungj, i madhi Dritëro Sonetin ka në gjak Nga gjithë rubinët që ka vetë Më jep dhe mua pak… 
 
E pyeta atë ditë se ç’ish Soneti 
Për rimën dhe për vargun e renditur 
Ai mori lapsin, Sadija letrën gjeti 
Dorën e tij unë ndiqja e çuditur. 
AB, BA dhe fjala e shkoqitur 
Mes kllapash si kufijtë e një shteti 
U ndjeva shumë e vogël, e paditur 
Në mbretërinë me dritë të një Soneti. 
Të parët vjershëtorë të Sonetit 
E bënin fjalën zap në rimë e varg 
Me mund e merrnin emrin e Poetit. 
Dorës së tim ungji i vij qark 
Dhe hesht e skuqem prej sikletit 
Prej tij dhe të vërtetëve, jam shumë larg...  
 
 
KËSHTU DO KISHTE NGJARË  
Rekuiem  
 
E ndjera gjyshja ime, e bardha Hatixhe 
Do zbriste që nga lart butë butë si bora 
Do shtynte mengadalë derën mos na zgjonte 
Me një ibrik që kurrë s’iu nda nga dora. 
Si pupël lehtë do hynte në sallon 
Do zbrazte ujë mbi lulet një nga një 
Një asparagusi do t’i thosh ca fjalë 
Si pëshpërimë, a ndoshta dhe me zë. 
E kur të ndjente hapin tim nëpër shtëpi 
Do vinte të më hidhte krahëve një fanellë 
Do më tregonte për një gjeth të porsaçelur 
Për një zambak që ditë më parë kish mbjellë. 
Ç’i do kaq shumë lule noni * , do t’i thosha 
Një vazo mbaj a dy mjaftojnë në sallon 
Ajo do më shikonte e habitur si fëmijë 
Që diç të thotë medoemos kërkon. 
Çdo lule është një shpirt edhe një fjalë 
Ne pleqve s’ka njeri të na dëgjojë 
Lules i flas e fletët fërfërin me këngë 
Më sheh të qaj, e nis me gjethe të vajtojë. 
E ndjera gjyshja ime e dhimbsur, Hatixhe 
Do zbriste butë butë që nga lart si bora 
Do shtynte mengadalë derën mos na zgjonte 
Me një ibrik që kurrë s’iu nda nga dora...  
 
* keshtu i therrisnim gjyshes kur ishim femije  
 
 
PËRGJYSËM 
 
Do ikësh 
Por flokëve të mi do tu mungojë foleja 
Ku bashkë me dëshirat 
U strukën netë psherëtimash 
Dhe këngë të hershme. 
Do ikësh 
Por ishujve të trupit tim do tu mungojë dora 
Që zbuti ulkonjën e pyllit 
Dhe majat e kodrave të bardha ledhatoi 
Nga ku u derdh ofshama. 
Do ikësh 
E bashkë me ty 
Kuptimi do mbetet në udhë 
Ndarë përgjysëm...  
 
 
E PAMUNDUR 
 
 Ika nga ty Vrapova 
Dhe bëra një dush të laja mëkatin 
Ndërgjegja shkëlqeu 
Nën kostumin e pastër. 
Nga shpirti s’të laj dot…  
 
 
PËRMBI KUBENË E QIELLIT  
 
Kur stalaktit’ i zemërimit të nisë të pikojë 
E përmbi detin e trishtimit të tretet shkumbëzimi 
Me kripën le të shkrijë dhe pengu yt...
 Jepmë sinjal si një puhizë 
Që gjethen e shtyn përkundër erës 
A shenjë më bëj heshtur pa gojë 
T’i japësh ajrit shkëlqim të Diellit 
Pastaj të dy do të kujtojmë 
Çfarë Leonardo kish ndërmend kur tha 
Se trupi ynë qëndron nën tokë 
Nën qiellin toka gjithashtu 
Po shpirti Shpirti kurdoherë 
Përmbi kubenë e Qiellit… 
 
 3 Dhjetor 2008 
 

 

VUAJTJE E PJESËTUAR

 

Gropë thithëse malli për ty

Lëviz e më shumë zhytem

E zhytem e mbytem në të.

Pushtet mishtor mbështjellja prej krahëve të tu

Si vuajtja më e madhe që sjell përdëllimin

Kafshojmë epshin, mjekojmë çmendurinë

Preja dhe gjahtari i vetvetes jemi.

Bashkimet janë vuajtje e veç vuajtjet ndahen

Lumturitë kurrë.

Kur të vish

Mos harro të marrësh çastet e tua të vuajtjes. 

 

 

NDAJFOLJET 

 

Lozonjare të papesha

që pas çdo tangoje kërkojnë folezën

si bletëza këmbënektar kapur për krahësh

bëjnë rreth pa porta

solisti në mes je Ti.

Pa to do shembeshin jetët shpërbërë

në humusin e çastit tretur

koha si trung i zhveshur do përgjunjej

hapësira do rrudhej pa muzgun

e pa Afërditën agimi s’do shkëlqente si Agim.

Gurët do gremiseshin e bashkë me ta boshësia

mendimi s’do kish enë, ku të qëndronte?!

Ndërsa ne të dy

do ndiznim qirinj imagjinarë përshpirtjesh

që s’mundëm të ekzistonim

diku, dikur

bashkë një çast

vetëm për vetëm...

 

VAJZË E VJEDHUR

 

Në qendrat tona të rehabilitimit, shumë vajza

nuk mundën t’i kthehen jetës normale.

 

Ishe e vogël Bora

në ballin tënd vizatuan një ëndërr ngjyrëshpëlarë

brenda kafkës

një kukull kartoni sajuan,

në vend të dëshirave

të kyçën brenda një monedhe

me tringëllimën e saj të shurdhuan.

Pastaj, erdhën të të blinin.

Ish tepër vonë

të kish vjedhur vetvetja

kish lënë veç Manikinin…