Mbi librin "Troje" të Linda Agollit - nga Robert Martiko


RRETH LIBRIT ME POEZI “TROJE” TË POETESHËS LINDA AGOLLI

Nga ROBERT MARTIKO

Natyrën në vargjet e poeteshës Linda Agolli e ndesh pothuajse në çdo hap, pa munguar ideja e rinovimit të gjërave. Pasi art do të thotë t’iu japësh gjërave frymë, për të mos mbetur përjetësisht bota e rënduar materiale në konsumin e saj të pashmangshëm natyror, të vdekjes së detyruar të qenieve, gjendjes njerëzore pa shpresë, nga mungesa e hapjes së Kohës. 

Qysh në faqet e para të librit me poezi, të titulluar “Troje”, Linda të befason me përfytyrimin e saj. Në poezinë e parë bën fjalë për një ambient të çuditshëm në natyrë, ku ajo shikon veten e saj në gjendje fëmijërore: “si pemën më të lartë në kodër”. Është një imazh që të indukton padashur në përfytyrim një gjendje parahistorike, në një kohë kur njeriu primitiv jetonte në natyrë i kredhur në botën e shpirtrave të së mirës e së keqes. Ende nuk ishin krijuar fetë e para dhe sidomos monoteizmi, që në zhvillimin e tij të mëvonshëm, i korrigjuar nga Logjika Antike Greke, ndryshoi fatin e njerëzimit në tokë.

Në vijim të zhvillimit të poezive në libër, ky imazh përmbyset dhe jo më larg se sa në poezinë e tretë, fëmija mbi kodër në trajtën e pemës më të lartë, me sa duket, ka bërë hapa gjigante në Kohë. Del nga koha rrethore, përsëritëse, tragjike, kur shoqërive të para iu mungonte ai lloj qëllimi i madh mobilizues, që njeriu do të fillonte të provonte në rrjedhën e Kohës së re, vijëdrejtë. Linda bën fjalë për tri dyer që kërcasin me zë të ngjirur dhe që vdesin të tanishmen. Në gjuhën simbolike të poezisë, është një pohim tragjik aq sa nuk mund të bëhet, pasi të gjitha shoqëritë në botë në këtë gjendje nuk kanë të ardhme. Poetesha shkruan se këto dyer i përplasen në fytyrë. Poezia nga vetë natyra e saj, me aftësinë e pandërprerë lartësuese të gjërave dhe me cilësinë për të dhuruar kënaqësi estetike, është çlirim tensionesh shpirtërore. Dëshmon nevojën e jashtëzakonshme të artit në rrugën e zhvillimit human, ndërkohë që enigma, pothuajse mistike, mbetet përjetësisht e pandriçuar. Në këtë mungesë ndriçimi, por që emocionon lexuesin nëpërmjet ikonave të brendshme, të një bote imagjinare e njëkohësisht të vërteta deri në palcë, vetëm supozime të kësaj natyre mund të bëhen se çfarë ka dashur të shprehë poezia. 

Tri dyert mund të konsiderohen si tri Kohët e jetës humane: e kaluara, e tanishmja dhe e ardhmja, ku nëse e dyta nuk bëhet lidhësja e dy të tjerave, por i lë përjetësisht të shkëputura nga njëra tjetra, shoqëritë nuk mund të shmangin kaosin, tragjedinë dhe vëllavrasjen shekullore. 

Linda shkruan: “Kërcasin tri dyer me zë të ngjirur / Njëra e kaltër, lojcake e ngjyrës / Më josh, më trallis, të tashmen ma vdes / Kërcasin dyer, përplasen fytyrës”. -Konkluzioni është se kur njëra nga tri kohët funksionon e mbyllur në vetvete, me një të tashme të vdekur, gjithë jeta e shoqërisë në grup mbetet një shkatërrim i përsëritur pafundësisht në histori.  

Kjo është Shqipëria e sotshme. 

Lexuesi ka rastin të mësojë edhe për fatin e Klarës, nuses së supozuar në një të ardhme me ëndrra të shumta, e vrarë me shtatë goditje thike nga vetë babai i saj. Diku Linda shkruan se është lumturi e madhe të grisësh letra me fjalë të mbushura me gënjeshtra, hipokrizi e kotësi. Krahas përshkrimit të aspekteve të hidhura të jetës, nuk mungojnë poezitë e dashurisë dhe të shpresës, të trishtimit, urave të komunikimit që qëndrojnë në ajër dhe sa e sa tema të tjera...

Ujkun, simbol instinktesh të fshehura humane, me egërsinë dhe lirinë e pakontrolluar në gjendje natyrore, e gjen të pranishëm në mjaft poezi, gjithnjë në rol të errët. Është diçka që mund të lidhet me ide, kujtime e sugjerime nga vetë eksperienca personale. Pse jo edhe nga bota e supozuar çliruese e pavetëdijes, me elementët e mirënjohur të repulsionit frojdian, që gjithnjë i shpëtojnë kontrollit të ndërgjegjes. Një interpretim që mund t’i bëhet poezive me temën e ujkut, është se poetesha zbulon në këtë rast, një sekret të madh rrëqethës të lidhur me njeriun. Nga pikëpamja ekzistenciale mbetet rob jo vetëm i kohës së tij por edhe i trysnisë së shekujve të tërë në shpirtin e tij, me pararendës brezat e mëparshëm, të pranishëm në traditë.

Janë fenomene që nuk bien kurrë në mendje. Vetëm filozofia është në gjendje për t’i zbuluar dhe për ti vënë në dukje. Prandaj ka rëndësi të zbulohen edhe në botën intelektuale shqiptare, në Akademi e Departamente Filozofie, sekretet e thella, të fshehta, të lidhura me të vërteta të kësaj natyre. Në këtë aspekt, bëhet fjalë për tema historikisht të panjohura, të pazbuluara dhe të patrajtuara kurrë. Deri më sot në Shqipëri nuk është shkruar asnjë libër me karakter antropologjik, që nga vetë natyra e tij ka aftësinë për tu futur në zemrën e problemeve tragjike, shekullore. 

Temën e “Ikjes” poetesha e konsideron vdekje të çastit, duke bërë fjalë për “kopshte të mbushur me mollë të matur në meridianë me pëllëmbë degësh”. Poezi me estetikë të e mrekullueshme është edhe “Kur lind një ditë”. Në një motiv nokturn, “nata si grua shtatzënë, rilindëse e jetës, gëlltit perëndimet... derdh vesën përmbi gjethe e bar që dita e bardhë të rilindë përsëri”. Jo më kot mund të thuhet se poezia ka aftësinë të paraqesë me bukurinë e admirueshme të krijimit, anët e kundërta të medaljes. Gjërat e kundërta si nata dhe dita, asgjësimi dhe rilindja e pandërprerë e jetës nëpërmjet gruas, irracionalja dhe e logjikshmja, janë tema që mendimi i kualifikuar përpiqet t’i zbulojë dhe t’i interpretojë. Pikërisht siç ndodh edhe në rastin e energjisë së pakontrolluar të muzikës mistike të shpirtit në meditim, gjatë netëve të qeta të verës.  

Mjaft interesante është poezia me titullin “Lavd”. Linda bën fjalë për fitimtarë, fitoret e të cilëve nuk shkojnë larg. Shkruan se “iu mungojnë krahët për të arritur në zemër të Diellit, pasi lavdinë e vërtetë nuk e nxë veç kupa e Qiellit”. Bëhet fjalë për një mrekulli. Më kujton një poezi me frymëzimin e më të Lartës, që në nivel praktik krijoi shoqëritë më të qytetëruara në botë. Kompozon At Pjetër Meshkalla, që u fut në burg me vullnetin e tij, në kohën e tre milionë skllevërve-duartrokitës, në Diktaturë. Mbinjeriu shqiptar në fjalë, trajton në vargje një nga më të mbuluarit me lavdi tokësore në botë, Napolon Bonapartin e internuar në Shën Helenë, një ishull i vogël në jugë të oqeanit Atlantik. Strategu i madh, një nga mendjet më inteligjente në historinë e njerëzimit, arrin të kuptojë një të vërtetë të tmerrshme. Se sa pa vlerë kanë qenë fitoret e tij me aq gjak të derdhur më kot, në krahasim me atë botë të bukur kulturore që mund t’i ofrojë njeriut me mendje të hapur: Dashuria, e Vërteta, Liria qiellore. Jo më kot Qielli, ky institucion i jashtëzakonshëm human, më i vjetri në historinë e njerëzimit, nga koha kur njeriu jetonte ende në xhungël, përherë i mbushur me mister, gjallëri e jetë të pashtershme, mbetet një destinacion i përjetshëm, për të ndryshuar fatin e njeriut. 

Si konkluzion mund të thuhet se poezia cilësore e Linda Agollit, në rrugën e krijimit artistik, është një dëshmi më shumë se pamjet dhe ikonat mund të jenë trille të jashtëzakonshme, si ato që njeriu rastis të shikojë në ëndërr apo në vegime. Por e vërteta është se pas këtyre gjendjeve jo të zakonshme, me shpirtin e jashtëzakonshëm të krijimit, fshihen sy të fshehtë filozofikë, përherë në përgjim, të aftë për të hedhur dritë edhe në errësirat më të thella psikike, për ndryshimin e shoqërisë shqiptare, sot në nevojë më shumë se kurrë...

🟣Troje - libër me poezi i Linda Agollit



TROJE - Poezi nga Linda Agolli 

Shënim nga autorja

 Është një përmbledhje poetike nga krijimtaria e mëparshme, plus një kapitull me poezi të reja të pabotuara, të cilin në antologji e kam renditur të parin. Një përmbledhje të tillë, nuk e kam menduar ndonjëherë si mbyllje të krijimit poetik. Si “hyrja” ashtu edhe “dalja” nga poezia, as mund të komandohen dhe as janë të parashikueshme. Njeriu është veçse mjeti i realizimit të saj. Në këtë kuptim, realizimi i antologjisë, i shkon në linjë vetëdijes për sa ke arritur deri në të tanishmen. Në imazhin tim, antologjia përshfaqet si ato baulet e gjysheve tona ku vendoseshin palë palë dhe ruheshin me kujdes veshjet më të cilësishme e më të bukura për t’i marrë me vete në pajë. Me një fjalë, kjo përmbledhje e poezive në këtë libër, është baulja që unë do ta marr me vete në udhët përtej të cilave më presin poezi të tjera të reja. Por, asnjëherë nuk mund të di sa të gjata janë udhët që më presin, sa të vështira, apo sa të dendura e të bleruara me pemë poezie.

 

GJITHNJË DO TË DUA

gjithnjë, gjithnjë do të të dua
ashtu siç di të dojë retina pakëz dritë
ashtu si udhëtari kërkon një strehëz
dhe buzën t'ia njomë një pikëz ujë nga burimi
ashtu si bisht' i syrit pikon margaritarë
dhe pak nga pak
si lulja e mbrëmjes mbyll petalet
të mbyllen ca plagë prej së lashti
kur shpatullat zbuluar m'i patën lënë
dhe endesha nëpër mjegull si një vegim
harruar nga ëndrrat e qënieve me shpirt...

gjithnjë, gjithnjë do të të mbaj
diku në një fjalë të thjeshtë e të lehtë
ashtu si një varg i simfonisë në pyll
a si një zë i këngës mistike
ku degët e një kulpre pushtojnë dashurinë tënde
dhe gjethet harbohen në ekstazë...

gjithnjë, gjithnjë do jem atje
në dhomëzën e gjoksit ku ulet e ngrihet
pesha e brengës dhe dëshirës
që me kujdes t’i hedh nga pak melhem
e t'i kujtoj një fjalë që shkon përtej fjalës
dhe bëhet legjenda
e dashurisë njerëzore...

gjithnjë, gjithnjë e kam një vend
edhe kur të mos jem...


ANKTHI I PRITJES

Tendoset çasti mes orësh të gjata
Mes ditëve pa ty hyn një korb,
Limanet përgjumen pa ardhur nata
Me gurët, dhe zhurmat futen në morg.

Përfyten damarëve zërat dhe plagët
Beteja e gjumit gjakos syrin tim,
Liqenj dëshpërimi shuajnë vlagët
Hapësira tulatet pa shpresë në kërkim.

Tendoset shkëmbimi i valës në breg
Ditët pa ty nuk kanë cak a kufi
Ka ngrirë gjithçka po akulli djeg
Ka ngrirë dhe pret të dukesh ti.


E TRËNDAFILTË


Në kapërcyell ëndrrash davaritet
Qeshja jote e trëndafiltë.

Dhe rrok në maja qerpikësh përmallime
Përqafimesh të pakryera
Si jetët që u panë tek shkonin
Shkarazi e pa zhurmë
Në shtretër lumenjsh të nëndheshëm,

Dhe rrok në maja gishtërinjsh dëshirime
Prekjesh të ndaluara
Si ditët që u shuan ende pa zbardhur
Zërave të mistershëm
Prej qiejsh të tjerë të panjohur,

Dhe rrok në cepa buzësh puthje
Të etshme, po aq të trëndafilta
Sa qeshja jote. 



SA SHPEJT VJEN NATA

Dhe shpejt, sa shpejt që vjen nata
Valëvitur si tyl i vejushës
Një prekje më endet në trup
Mbështillet si mjegulla gëmushës
Dhe shpejt, sa shpejt që vjen nata.

Dhe shpejt e shpejt bie nata
Këndon zëpak një zogth i trishtuar
Rrëzohet pa zhurmë një muzg
Më derdh errësirë përmbi duar
Dhe shpejt e shpejt bie nata.

Dhe shpejt, si qyrk rëndon nata
Një zilkë trembur tundet në erë
Shtëpi e vogël rrënuar
Hyjnë dy pleq, pas mbyllet një derë
Dhe shpejt, si qyrk rëndon nata.

Dhe shpejt, sa shpejt sundon nata
Dita shuhet sysh, e ngrata…


USHTARËT E ËNDRRAVE

Nuk shoh më ëndrra
Kaptoj botën time dhe gjendem në një tjetër
Pa zhelet e kësaj bote.

I pata nisur dikur në beteja
Ushtarët e pavdekshëm të ëndrrave
Ushtonte trumbeta
Gjëmonte ëndrra.
U pata ngritur monumente
Dhe gdhendur krahë
Ushtarëve të ëndrrave të mia.

Janë kthyer prej kohësh
Dhe unë prej kohësh fle mbi mermer
Kalojnë aty pari ata, ushtarë
Ende të parritur ,
Lëpijnë plagë imagjinare.

Eshtrat e mia mbetur mbi ëndrra
Gdhendin me mundim
Emra besnikësh.

Tani mbi shtrat të bardhë
Si pika e vesës, mbi gjethe fle,
E në rrëshqitsha
Do të jetoj në zemër të Detit.


DUART E MIA RREKEN TË MBAJNË ZËRIN TËND

Duart e mia rreken të mbajnë fort zërin tënd
Që kumbon
Ndër kupa të vogla qiejsh të copëtuar
Zërin që hopet,
Përplaset, derdhet e jehon,
Mureve të bardha
Nga llërët pikon teposhtë
Kyçeve të imtë,
E dua ta mbaj.
Ta mbaj dhe i thërras me shkulm
Lëshoj gjithë lukuninë e kordave të mia të memecta
Por zëri yt shkon tejpërtej atje,
Përmbi bedenat e një ëndrre
Të vetmuar
Ndrydhur në kështjellë harrese.

Nuk më dëgjon, më zmbraps,
Më ngrin ndër duar
Dhe bëhem shtrati i lumit të askund
Thërrmohem, bie, bëhem blu,
Derdh trupin e pastaj,
Dergjem plot plagë në dete…


KA ARDHUR KOHA 

 
Ka ardhur koha hardhitë të përdridhen
Rreth trungut te pemës ne zgjatje pambarim
Me puthje valëzore kërcell e gjethe
Luhatje tingujsh ne tundim.
Ka ardhur koha qe nen dhè te shkrifet
Një simfoni gjallesash të gëlojnë ne pyll
Me ngjyra zogjsh e ketra kuriozë
Ku dirigjent behet një yll.
Ka ardhur koha te shkojmë edhe ne me ta
Ne pyll, mbështjellë pemës e nen dhè
Nen tinguj simfonish e shtrat gjethesh
Te harrohemi cazë atje.
Ka ardhur koha e ringjalljes…

Epilog
E ke dëgjuar gjethen kur bie si qan,
Dhe klith ne bisht te saj një kërc i njome?
E ke dëgjuar lulen si petalet hap
Dhe pëshpërit plot arome?
Ka ardhur koha e parajsës… 


 

🟩 Intervistë nga Linda Agolli, "Koha Jonë"

 

LINDA AGOLLI

MENDIMI LETRAR  

Intervistë

 

Prej disa muajsh poetja Linda Agolli ka botuar përmbledhjen e saj me poezi “Troje”. Libri përmban krijimet më të mira të autores në vite, si dhe disa krijime të reja që publikohen për herë të parë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, autorja që mund të thuhet se poezinë e ka në gen flet për përmbajtjen e këtij botimi, por edhe për projektet e saj në të ardhmen.

Mjafton një shikim i shpejtë për të kuptuar se ky libër është një antologji poetike, një përmbledhje e krijimtarisë tuaj poetike. Zakonisht, një autor del me një përmbledhje të tillë atëherë kur cikli i krijimit poetik është në mbyllje. Ju, do të vazhdoni të shkruani poezi? Cila do të jetë marrëdhënia juaj me poezinë?

Po. Është një përmbledhje poetike nga krijimtaria e mëparshme, plus një kapitull me poezi të reja të pabotuara, të cilin në antologji e kam renditur të parin. Një përmbledhje të tillë, nuk e kam menduar ndonjëherë si mbyllje të krijimit poetik. Si “hyrja” ashtu edhe “dalja” nga poezia, as mund të komandohen dhe as janë të parashikueshme. Njeriu është veçse mjeti i realizimit të saj. Në këtë kuptim, realizimi i antologjisë, i shkon në linjë vetëdijes për sa ke arritur deri në të tanishmen. Në imazhin tim, antologjia përshfaqet si ato baulet e gjysheve tona ku vendoseshin palë-palë dhe ruheshin me kujdes veshjet më të cilësishme e më të bukura për t’i marrë me vete në pajë. Me një fjalë, kjo përmbledhje e poezive në këtë libër, është baulja që unë do ta marr me vete në udhët përtej të cilave më presin poezi të tjera të reja. Por, asnjëherë nuk mund të di sa të gjata janë udhët që më presin, sa të vështira, apo sa të dendura e të bleruara me pemë poezie.

Me sa vëmë re, ka një rënie të interesit ndaj letërsisë në përgjithësi, veçanërisht ndaj poezisë. Realiteti ynë shoqëror është më pak poetik se kurrë. A mund të na thoni se ku e merrni fuqinë dhe entuziazmin për të shkruar poezi?

Fuqia dhe entusiazmi përkatësisht çështjes në fjalë, janë dy elementë emocionalë që gjenden brenda dhe jashtë qënies. Sidomos, burim parësor është ai i brendshmi. Dhe jo vetëm parësor, por edhe emocionues. Siç e shprehët edhe ju, realiteti ynë shoqëror është më pak poetik se kurrë. Një realitet i tillë, doemos që në të shumtën e rasteve jo që nuk frymëzon, por përkundrazi dekurajon dhe thyen dëshirën për ta shfaqur poezinë. Imagjinoni për momentin një realitet që shfaqet në një marrëdhënie nënë-fëmijë, ku përkushtimi për edukim zë vend të parë. Ose për shembull, një realitet që shfaqet në komunikimin e sinqertë dhe të pakushtëzuar të dy të dashuruarve, ose një realitet shfaqur në suksesin e merituar të dikujt në çfarëdo fushe të jetës qoftë, ose ose, që shfaqet në qëndrimet qytetare të brezave ndaj brezave, në akte fisnikërie të ndihmesës dhe korrektesës së pakushtëzuar, në komunikimin dhe marrëdhëniet e shtresave të shoqërisë, etj. etj. Them “imagjinoni” sepse sa thashë nuk janë realiteti ynë dominues. Por, nëse do të ishte, fuqia e brendshme krijuese do të gjente një mbështetje të madhe dhe do të shumëfishohej duke ngarë drejt veprave dinjitoze artistike në përgjithësi dhe brenda tyre edhe ato letrare. Realiteti i sotëm nuk ndihmon qoftë edhe me interesin ndaj të lexuarit, e kjo është një sfidë që i bëhet fuqisë së brendshme. Por gjithnjë, ose që të mos e ekzagjeroj, kryesisht fiton fuqia e brendshme. Është fuqi që ta jep bindja dhe vetëdija mbi misionin. E, nëse je i vetëdijshëm për misionin, me apo pa atë interesin e lartë të të tjerëve ndaj letërsisë, do ta bësh atë! Dhe do ta bësh me të gjithë fuqinë që të është dhënë. Entuziazmi i bashkëngjitet krejt natyrshëm fuqisë dhe në një rast të tillë nuk mund të trajtohet më vete. Fuqia e ka komponent shoqërues e të pandashëm entuziazmin, mendoj. Një arsye tjetër është se, të mendosh të bësh diçka vetëm pse thjesht shoqëria shfaq interes, vihesh pa kushte në pozitën e një tregtari që prodhon mall sipas kërkesave të tregut, gjë që një krijues nuk e justifikon dot me asnjë argument. E, në qoftë ai argument “shërbimi ndaj masës së lexuesve” aq më keq denigron vërtetësinë e të bërit letërsi. Çfarë i përgjigjet interesit të publikut në letërsi, publiku le ta gjejë atje ku ai interes shfaqet, në morinë e zhanreve letrare dhe autorëve të ofruar me veprat e tyre.

Hartimi i një përmbledhjeje poetike si kjo juaja, ku mendohet të jenë përfshirë poezitë më të mira të disa librave, është një proces i vështirë dhe i ndërlikuar. A mendoni se keni bërë përmbledhjen më të mirë të mundshme?

Po. Mendoj se po. Por duhet theksuar se vërtet është një proces shumë i vështirë. I vështirë për nga forma dhe përmbajtja, pasi edhe përzgjedhja si veprim më vete qëndron mbi kolonat e perceptimit dhe konceptit për shfaqjen e veprës në një nivel relativisht të lartë dhe po aq në unison të plotë. Të përzgjedhësh cila poezi është më e mirë dhe cila më pak e mirë, të përcaktosh se kjo poezi e meriton një vend në përmbledhje dhe tjetra jo, është e dhimbshme por jo e pamundur. Nevoja për të pasur në një përmbledhje të gjitha poezitë erdhi pa kuptuar dhe shumë e thjeshtë në fillim: nevojë për t’i pasur të gjitha në të njëjtin libër. Por sa më shumë e më shpesh të lexosh për të përzgjedhur, aq më shumë rritet kërkesa për cilësi. Vëllim pas vëllimi qartësohet gjithnjë e më shumë një e vërtetë: një vëllim i dytë shfaq tipare të reja edhe më cilësore në krahasim me të parin; një vëllim i tretë po ashtu në krahasim me të dytin, një i katërt me të tretin, e kështu me radhë, deri sa vjen vëllimi me poezitë e reja të pabotuara ndonjëherë. Ja, kështu si proçes, që nxiti dhe bëri të domosdoshëm seleksionimin e poezive më të arrira.

 Në këtë libër keni përfshirë edhe poezi të reja shkruar së fundmi. Duke patur parasysh faktin se proçesi i krijimit të poezisë shtrihet në një periudhë të konsiderueshme, si cilësia estetike edhe ajo teknike, pësojnë ndryshime. Mendoni se ekzistojnë hendeqe cilësore midis periudhave të ndryshme të krijimtarisë poetike?

Siç e thashë edhe më lart në përshkrimin që i bëra proçesit të përzgjedhjes së poezive, doemos që ka ndryshime cilësore. Së pari duhet nënvizuar se ndryshim cilësor do të thotë ndryshim në rritje i elementëve që e përcjellin poezinë si qënie të gjallë me frymëmarrje. E rëndësishme është që këto ndryshime të mos jenë aq të thella sa që të krijojnë hendeqe. Në këtë kuptim, për shembull për nga fryma, ideja, tema, boshti filozofik, imazhi, kadenca, aty këtu edhe couplet’i vargjeve, mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar të poezive të hershme nga ato të mëvonshmet. Madje do të thosha se ka nga ato të hershmet që ecin paralel me të rejat. Në rilexime i gjej tepër rezistente ndaj kohës dhe fenomeneve jetësore. Ndërsa, për nga forma, vargu i lirë, përzgjedhja e fjalëve specifike, larmia e tyre, provokimi i mendimit, e ndonjë tjetër gjë që tani nuk më kujtohet, poezia e re ndryshon nga ajo e fillimeve letrare. Është si të thuash, kati i epërm i një ndërtese ku mund të ngjitesh vetëm nëpërmjet shkallëve, dhe ku çdo periudhë krijimtarie është një shkallë që e ngjit poezinë deri në atë kat.

A mendoni se poezia ka një rol të rëndësishëm në jetën e individit? Cili është ky rol dhe sa ndikon ai në cilësinë e jetës së brendshme të atij që e shkruan dhe atij që e lexon?

Mendoj, dhe jo vetëm mendoj, se poezia ka një rol të rëndësishëm në jetën e individit. Ka përvoja të shumta që shpalosin ndikimin e poezisë në jetën e individit. Por, për të mos sjellë këtu rastin e vogël dhe të veçuar të një individi, le të cilësojmë rolin që luan në përgjithësi poezia: Poezia e mbështet njeriun. Ajo qan bashkë me të për humbjen e njeriut të dashur; qesh me të në gëzimet e tij; i jep kurajë në raste vështirësish; e mbështet në iniciativat që ndërmerr; i rrëfen një rrugëdalje; i zgjon ide të pamenduara më parë; i kujton momente të spikatura nga jeta e vet; e përqafon kur nuk ka kush ta përqafojë dhe ia lehtëson dhimbjen kur as ilaçet nuk bëjnë efekt. Ka shumë të thuhen për këtë. Ndërsa, sa i takon atij që e shkruan poezinë, të gjithave sa u thanë më lart për lexuesin, u shtohet një krye-element: të qënit burim i gjithë këtyre vlerave që lexuesi merr nëpërmjet poezisë së dhuruar.

Ju keni përfshirë në këtë antologji poezitë më përfaqësuese të pesë librave të mëparshëm, duke i ndarë në pesë kapituj. Vërej se titujt e atyre librave nuk janë të plotë. Pse?

Kur fillon të mendosh për një titull libri, i referohesh pak a shumë dhe zakonisht përmbajtjes në përgjithësi ose titullit të poezisë më pikante. Në pesë librat e parë, për të vendosur titujt, i jam referuar herë kësaj e herë asaj si më lart thashë. Përjashtim bën vëllimi i parë “Trokas në derë hedh hapin hyj” të cilin e kam titulluar pikërisht kështu për të paraqitur hapin tim të parë drejt botimit të poezive në një vëllim. Mirëpo, përmbledhur në një libër të vetëm, vëllime të veçanta do të “qëndronin” larg njëri tjetrit nëse nuk do të vendoseshin ura lidhëse midis. Në imazhin tim, këto ura që do të lidhnin brigjet e vëllimeve me njëri tjetrin ishin pikërisht titujt. Më duhej të bëja një kompromis ndërmjet: të ruaja thelbin e titujve origjinalë duke i përfaqësuar me një fjalë të vetme, dhe asaj që kjo fjalë e vetme të bëhej njëkohësisht edhe ura për t’u hedhur në bregun tjetër. Kështu, zgjodha një fjalë të vetme për çdo titull dhe pikërisht atë që, nga njëra anë i qëndronte librit përkatës më vete, dhe nga ana tjetër, njëkohësisht renditej natyrshëm në gjerdanin e kapitujve. Pa harruar asnjëherë se për nga forma titujt shkonin në unison me titullin përfaqësues të antologjisë që njëkohësisht është edhe titulli i vëllimit të ri të pabotuar më parë dhe që përfshihet në këtë antologji.

Kemi dëgjuar të thuhet se poezia është një ndër zhanret letrare më të abuzuara dhe se imitimi e plagjiatura po lulëzojnë. A jeni dakord me këtë konstatim?

Në konceptin tim, Poezia nuk është art demokratik. Është art aristokratik. Pastaj, se çfarë kuptoj me këtë, më duhet të sqaroj se nëse pasuria materiale të bën borgjez, ajo pasuri që të bën aristokrat është pikërisht të bërit artin e poezisë, gjë me të cilën nënkuptoj delikatesën dhe lartësinë shpirtërore, aftësinë ndjesore, emocionale, frymësore, si dhe finalizimin nëpërmjet dhuntisë për t’i shprehur këto me Fjalën! Shoh, lexoj, përpunoj me mendje, argumentoj sipas rastit, gjithçka që vëmendja ime prek si poezi të publikuar, sidomos në rrjetet sociale, pasi kjo ka më shumë mundësi të përhapet me shpejtësi dhe t’i ofrohet më lehtë lexuesit. Poezia është e abuzuar: e abuzuar nga turmat letrare, nga pseudo shkruesit, nga ata që e lexojnë, nga pseudo kritikët, nga vlerësuesit hierarkikë. Është e abuzuar edhe nga heshtja, e sidomos nga kjo e fundit. Në këtë lukuni të patalentuarish dhe plagjiatorësh, zëri i të talentuarit mbytet si bleta në ujë. Pa harruar mundësitë financiare. Ndër këta që përmenda, pseudoshkruesit janë më të parët abuzues, sepse nuk dinë ta bëjnë poezinë. Ata e keqshkruajnë atë dhe po ashtu rrezikojnë të hyjnë edhe në qorrsokakun e plagjiaturës. Sa për plagjiatorët, dëmi i tyre në botën e artit shkon përtej personales, specifikisht në fushën e poezisë. Sepse janë edhe pseudo edhe vjedhës, edhe hileqarë edhe mashtruese. Këta janë edhe abuzuesit më të mëdhenj e më të vështirë në lëmin e poezisë. Imituesi dhe imitimi si fenomen në letërsi, në konceptin tim, kanë tjetër interpretim nga ai që mund të duket në pamje të parë. Për shembull, imitohet një mënyrë të shkruari, një autor. Mendoj se është e pranueshme dhe shfaqet në rastin kur imitohet teknika, tematika, stili, dhe kjo ndodh përgjithësisht kur individi është në fillimet e veta letrare. Justifikohet deri në një moment kur pak a shumë arrin të kuptosh dhe të jesh i vetëdijshëm se cila është rruga jote, si do të ecësh në atë rrugë dhe deri ku të arrin shikimi në lidhje me perspektivën, deri në ç ‘pikë të horizontit mund të kapë syri yt. Vjen një moment dhe nga imitimi mund të dalësh, e më pas të jesh vetvetja. Ndërsa nga plagjiatura nuk besoj se mund të dilet; më aq sa mund të dalësh nga një ves i neveritshëm. Ajo, pra plagjiatura, është vetja jote, përfaqësimi yt, dhe është e pamundur që një plagjiator të jetë krijues, aq më pak të bëhet i tillë në një rrugë të tillë. Një krijues e ka të përjashtuar kategorikisht plagjiaturën. E, nëse dikush thotë se është poet dhe nga ana tjetër bën plagjiaturë, kjo as më shumë e as më pak është mungesë respekti për veten. Pra, vij krejt dakord me konstatimin tuaj.

Do të doja mendimin tuaj në lidhje me zhvillimet e poezisë së sotme shqipe.A mendoni se poezia shqipe ecën përbri poezisë bashkëkohore?

Si ashtu, si kështu, në përgjigje të pyetjeve tuaja të mësipërme, gjendet edhe përgjigja ndaj pyetjes se si po ecën poezia shqipe. Fakti që këtu u fol për shumë çështje mbi poezinë, tregon se problemi zien. Por problemi zien atje ku elementët e të vërtetës përplasen. E vërteta e pozitives që i kundërvihet negatives bën që të dalin në pah disa vlera në dukje të mohuara në ditët e sotme. Pozitivja këmbëngul, bërtet fuqishëm. Mendoj se poezia e mirë, ajo e të Bukurës dhe e të Vlefshmes, është! Por, nëse ka diçka që “po ia ha shpirtin” poezisë shqipe dhe nga e cila ajo po vuan, është kriteri i bashkëkohësisë. Poezia shqipe është shkruar bukur, madje shumë bukur, por gjithnjë me vonesë në raport me prurjet bashkëkohore të letërsisë botërore. Kriteri i bashkëkohësisë është kriteri i munguar. Arsyet?! Dihen dhe ende vazhdojnë të qëndrojnë me kokëfortësi. Por ky është një tjetër kapitull mbi letërsinë dhe problemeve të saj dhe i takon një tjetër paneli.

A keni tentuar të lëvroni ndonjë zhanër tjetër letrar?

Domosdo që po. Kam shkruar tregime të cilat janë botuar në revista e gazeta, një pjesë edhe në ato elektronike. Hëpërhë jam duke punuar me tregimet dhe përmbledhjen e tyre në një libër. Planet nuk mungojnë asnjëherë, por më mirë të flitet pasi të jenë realizuar.

Gazeta “Koha jonë”/ 11 Dhjetor 2019